Tema
Regjistrimet
Asistenti mund të regjistrojë dokumente në Finabit, por asgjë nuk regjistrohet pa konfirmimin tuaj.
Konfirmimi
- Kërkoni regjistrimin me fjalë, ose ngjitni (Ctrl+V) ose bashkëngjitni me + foton ose PDF-në e dokumentit.
- Asistenti përgatit veprimet dhe i shfaq te kartela veprime në pritje. Hapni çdo veprim për të parë të dhënat që do të futen.
- Klikoni:
- Konfirmo: veprimi kryhet;
- Anulo: asgjë nuk regjistrohet;
- Lejo gjithmonë: ky lloj veprimi kryhet pa pyetje në të ardhmen (e hiqni te Detyrat e planifikuara).
Derisa veprimi është në pritje, duhet ta konfirmoni ose anuloni para se të dërgoni mesazh tjetër.

Nëse asistenti nuk e tregon çka do të futë, shkruani më trego para se ta regjistrosh. Pas regjistrimit, asistenti jep lidhjen për ta hapur dokumentin në Finabit Web.
Fatura nga foto ose PDF
- Ngjitni foton ose PDF-në e faturës dhe shkruani p.sh. Regjistroje këtë faturë blerjeje.
- Asistenti e lexon faturën: furnitorin (emrin, NUI-n, numrin e TVSH-së, adresën), numrin dhe datën, artikujt, sasitë dhe çmimet.
- Nëse furnitori ose artikujt nuk ekzistojnë, propozon fillimisht krijimin e tyre (furnitori mund të kontrollohet në ARBK), pastaj përgatit faturën.
- Kontrolloni të dhënat dhe konfirmoni.



Te blerjet kërkohet numri i faturës së furnitorit. Asistenti kontrollon dublikatet dhe e bashkëngjit PDF-në te fatura. Fatura nuk shënohet e paguar pa e kërkuar ju (shihni Pagesat).
Llojet e regjistrimeve
| Lloji | Çfarë bën asistenti |
|---|---|
| Faturat e shitjes dhe blerjes | gjen ose krijon partnerin, kontrollon dublikatet, gjen artikujt ose kontot, bashkëngjit PDF-në |
| Dokumentet e tjera | oferta, porosi, kthime, nota debitore dhe kreditore, profatura, fletëhyrje dhe fletëdalje; kalimi në hapin tjetër (p.sh. ofertë → faturë) dhe kopjimi në datë tjetër (qiraja, abonimet) |
| Lëvizjet interne dhe prodhimi | transferimi i mallit mes njësive dhe prodhimi sipas normativit; parapamja paralajmëron nëse stoku bëhet negativ |
| Urdhëresat manuale | ruhen vetëm kur debia është e barabartë me kredinë dhe kontot ekzistojnë |
| Pagat dhe mjetet themelore | hapja, llogaritja dhe mbyllja e periudhës së pagave; mjetet themelore, zhvlerësimi dhe çregjistrimi |
| Proceset e tjera | ndryshimi i çmimeve, numërimi i stokut, faturat nga kontratat me këste, fletëporositë e prodhimit, aprovimi i porosive dhe i pushimeve |
| Të dhënat bazë | njësitë, grupet e artikujve, kontot, punëtorët, pushimet, buxhetet, kontratat; ndryshohen vetëm fushat që i përmendni |
| Korrigjimet | ndryshimi i dokumenteve, anulimi me kthim, heqja e pagesave të gabuara; dokumentet e mbyllura, të paguara ose të fiskalizuara zakonisht nuk preken |
Shembuj:
- Fute këtë faturë si blerje, afati 45 ditë, dhe bashkëngjite PDF-në.
- Kalo 20 copë të artikullit X nga Depo Prishtinë në Dyqani 2.
- Regjistro urdhëresën: qiraja e tetorit 450 €, 6231 në debi, 2021 në kredi.
- Regjistro pushim vjetor për punëtorin X nga 9 deri 20 nëntor.