Tema
Shembuj me asistentin
Këto janë përgjigje të vërteta të asistentit në panelin e Finabit Web. Pyetjen e shkruani me fjalët tuaja, ashtu siç do ta pyesnit një koleg. Asistenti zgjedh vetë raportin e duhur dhe ju kthen shifrat, tabelën dhe, kur ka kuptim, grafikun.
Poshtë çdo përgjigjeje shihen veglat që u përdorën (p.sh. Shitjet, Raport · Borxhet sipas vjetërsisë). Te çdo tabelë, Hap e hap tabelën të plotë, me kërkim dhe eksport në CSV.
Shitjet dhe blerjet
Shitjet sipas muajve
Sa kemi shitur këtë vit, sipas muajve?
Asistenti jep totalin me dhe pa TVSH, fitimin, tabelën sipas muajve dhe grafikun.


Krahasimi i dy muajve
Krahaso blerjet dhe shitjet e qershorit me majin
Përgjigja ka ndryshimin në shumë dhe në përqindje, një përmbledhje të shkurtër dhe grafikun e krahasimit.


Artikujt më fitimprurës
Cilët janë 10 artikujt më fitimprurës këtë vit?
Për çdo artikull: shitjet, kostoja dhe fitimi bruto, të renditura nga fitimi më i madh.

Raporti ditor
Më jep raportin ditor
Raporti ditor mbledh në një përgjigje shitjet, blerjet dhe arkëtimet e ditës, borxhet e klientëve dhe gjendjen e bankave dhe arkave.

Klientët dhe furnitorët
Kush ju detyrohet
Kush më detyrohet më shumë? Top 10
Asistenti lexon borxhet sipas vjetërsisë: borxhin bruto, avanset e klientëve, borxhin neto dhe 10 klientët me borxhin më të madh.

Kujt i keni borxh
Kujt i kemi borxh më shumë nga furnitorët?
E njëjta gjë për furnitorët: balanca neto, furnitori me borxhin më të madh dhe sa nga borxhi është i vjetër.

Kartela e klientit
Më trego kartelën e klientit EXPORT TEST
Sa është faturuar, sa është paguar, borxhi aktual dhe të gjitha lëvizjet e klientit me datë dhe dokument.

Faturat e hapura të një klienti
Cilat fatura të hapura ka klienti EXPORT TEST?
Për një klient të vetëm asistenti i rendit faturat e papaguara me numrin, datën dhe vlerën.

PDF me faturat e papaguara
Më bëj PDF me faturat e papaguara të klientit EXPORT TEST
Asistenti e përgatit PDF-në dhe jep lidhjen për shkarkim. Lidhja vlen 10 minuta. PDF-në mund t'ia dërgoni klientit si kujtesë për pagesë.

Arka, banka dhe TVSH
Arka dhe banka
Sa para kemi sot në arka dhe në banka?
Gjendja e arkës dhe e bankës, me llogaritë kryesore dhe llogaritë që kërkojnë kontroll.

TVSH-ja e muajit
Sa TVSH kemi për të paguar për muajin qershor?
TVSH-ja e llogaritur nga shitjet, TVSH-ja e zbritshme nga blerjet, teprica nga muaji i kaluar dhe shuma për pagesë, sipas deklaratës së TVSH-së.

Artikujt dhe stoku
Stoku nën minimum
Cilët artikuj janë nën stokun minimal?
Numri i artikujve nën minimum, sasia që nevojitet dhe lista sipas degës.

Faqja ku jeni
Me butonin e kamerës lart në panel, asistenti e sheh faqen që keni hapur në Finabit Web: filtrat, kolonat dhe të dhënat në ekran. Kështu mund të pyesni direkt për atë që shihni.
Pse nuk po më shfaqet asnjë faturë në këtë listë?
Te lista e faturave të shitjes, asistenti e vëren filtrin Muaji aktual, tregon në cilët muaj ka fatura dhe si ta ndryshoni filtrin.


Regjistrimet
Asistenti e përgatit regjistrimin dhe e tregon në kartelën Kërkohet konfirmim. Në Finabit regjistrohet vetëm kur klikoni Konfirmo. Me Anulo nuk regjistrohet asgjë. Më shumë te Regjistrimet.
Fatura e shitjes
Bëj një faturë shitjeje për klientin EXPORT TEST: 2 copë Bllok me çmim 5 euro
Asistenti e gjen klientin dhe artikullin dhe e përgatit faturën me rreshtat e saj.

Arkëtimi
Regjistro arkëtim 50 euro nga klienti EXPORT TEST në ARKA KRYESORE
Asistenti e gjen klientin dhe kodin e arkës dhe e përgatit pagesën e arkës.

Çka është regjistruar përmes asistentit
Çka është regjistruar përmes asistentit këtë muaj?
Lista e dokumenteve që janë regjistruar përmes asistentit, me datën, llojin dhe numrin e dokumentit.

Detyrat e planifikuara
Cilat detyra të planifikuara kam?
Asistenti i tregon detyrat që i keni caktuar, me titullin, përsëritjen dhe orën. Detyrë të re krijoni duke e shkruar, p.sh. Çdo ditë në ora 8 më jep raportin ditor. Më shumë te Paneli dhe veçoritë.

Excel, PDF dhe e-mail
Tabela në Excel
Shitjet e këtij viti sipas muajve, ma jep edhe në Excel.
Përveç tabelës në bisedë, asistenti e bën skedarin Excel me të gjitha rreshtat, me shumat si numra dhe me rreshtin e totalit. Skedari shfaqet poshtë përgjigjes për ta shkarkuar. Kur e doni çdo raport në Excel, thuajini një herë: Mbaje mend: raportet m'i jep gjithmonë edhe në Excel (shih Kujtesa e asistentit).
Raporti si PDF
Më jep bruto bilancin sintetik të këtij viti si PDF.
Raporti del si PDF me kokën e kompanisë, periudhën, tabelën dhe totalet, i njëjti që e printon Finabit. Kështu merren edhe bruto bilanci analitik, kartela e kontos, analitika e një klienti ose furnitori dhe sintetika e konsumatorëve ose e furnitorëve.
Dërgimi me e-mail
Dërgoja kontabilistit analitikën e klientit Beta Market për tetorin.
Dërgoje këtë tabelë me e-mail te menaxheri@firma.com, edhe në Excel.
E-mail-i niset nga e-mail-i i kompanisë në Finabit, ai me të cilin Finabit i dërgon faturat. Pa adresë, asistenti ia dërgon vetë përdoruesit. Para dërgimit asistenti ta tregon marrësin dhe përmbajtjen.
Pagat
Pagat e muajit nga fillimi deri në fund
Kryeji pagat e nëntorit nga hapja deri te mbyllja. Vetëm provo çka do të ndodhte.
Asistenti e hap periudhën dhe i llogarit pagat, kontrollon punëtorët pasivë që hyjnë në muaj, e kontabilizon urdhëresën e pagave, kontrollon që debia = kredia dhe vetëm atëherë e mbyll periudhën. Me vetëm provo nuk ruhet asgjë; pa të, çdo hap kryhet pasi ta konfirmoni.
Ndryshimi i pagave për shumë punëtorë
Rrite pagën me 5% për të gjithë punëtorët aktivë. Vetëm provo dhe më trego tabelën.
Asistenti e tregon për çdo punëtor pagën aktuale dhe të renë, dhe pas konfirmimit i ruan të gjitha me një herë. Çdo punëtor ruhet më vete: nëse një refuzohet, të tjerët ruhen dhe asistenti ta tregon arsyen.
Importi me DUD
Regjistro importin: DUD 2026 U 13140, fatura INV-4471 nga Alpha GmbH, 200 copë kafe 1 kg me 6,20 €, dogana 10%, transporti 180 €. Ma trego para se ta ruash.
Importi regjistrohet te Blerjet › Importet. Finabit i krijon vetë doganën, TVSH-në e importit, akcizën, çmimet e kostos dhe urdhëresat. Bashkëngjitni edhe foton e DUD-it dhe të faturës: asistenti i krahason vlerat e DUD-it me llogaritjen para se ta ruajë.
Më shumë shembuj me të njëjtat vegla në ChatGPT dhe Claude: Të rejat te Finabit AI.
Me zë
Asistentit mund t'i flisni në vend që të shkruani. Gjithçka nga shembujt më lart mund ta pyesni edhe me zë. Asistenti e thotë përmbledhjen me zë, ndërsa tabelat dhe grafikët shfaqen te biseda. Hollësitë janë te Asistenti me zë.
Biseda live
Klikoni butonin e fundit 〰️ dhe lejoni mikrofonin. Kur shfaqet Live — fol..., flisni lirshëm, p.sh. Sa kemi sot në bankë dhe në arkë?. Asistenti përgjigjet me zë dhe vazhdon të dëgjojë. Mbyll mikrofonin e ndal dëgjimin për pak, Mbyll bisedën me zë e përfundon bisedën.

Diktimi
Klikoni 🎤 dhe flisni. Butoni ndizet sa kohë që asistenti ju dëgjon dhe fjalët shkruhen te fusha e mesazhit. I lexoni, i ndreqni nëse duhet dhe e dërgoni pyetjen vetë.
