Tema
Rabati dhe zbritjet në dokumente
Rabati dhe zbritjet punojnë njësoj në të gjitha dokumentet me çmime:
- Shitjet: Faturat e shitjes, Kthimet e shitjeve, Nota debitore dhe Nota kreditore (e lëshuar), Fletëporositë e shitjes, Profaturat e shitjes, Ofertat, Shërbimet.
- Blerjet: Faturat e blerjes, Kthimet e blerjeve, Nota debitore dhe Nota kreditore (e pranuar), Fletëporositë e blerjes, Profaturat e blerjes.
Importi IM4 ka zbritjen e vet, të shpjeguar më poshtë. Fletëdalja dhe Fletëhyrja nuk kanë çmime, prandaj as zbritje.
Tri zbritjet e rreshtit
Çdo rresht mund të ketë deri në tri zbritje në përqindje:
| Zbritja | Kolona | Si shfaqet |
|---|---|---|
| Zbritja 1 | Rabati | E fshehur si parazgjedhje. E shfaqni te Kolonat › Rabati. |
| Zbritja 2 | Zbritja 2 | E fshehur. E shfaqni te Kolonat (kërkoni "Zbritja"). |
| Zbritja 3 | Zbritja 3 | E fshehur. E shfaqni te Kolonat. |
Edhe kur kolona është e fshehur, zbritja që vendosni me Cakto zbritjen zbatohet. Kolona Çmimi me rabat (pa TVSH) tregon gjithmonë çmimin pas të gjitha zbritjeve.
TIP
Kolonat › Rikthe si parazgjedhje kthen tabelën në pamjen fillestare.
Rabati për një rresht

- Shfaqni kolonën Rabati (te Kolonat).
- Shkruani Sasinë dhe çmimin e plotë, para zbritjes.
- Te Rabati shkruani përqindjen, p.sh.
10, dhe shtypniTab.
Pas rabatit:
- Çmimi pa TVSH mbetet çmimi bazë, para rabatit.
- Çmimi me rabat (pa TVSH) = Çmimi pa TVSH − rabati.
- Çmimi me TVSH dhe Vlera / Vlera me TVSH tregojnë shumat pas rabatit.
- TVSH-ja llogaritet mbi çmimin pas rabatit.
Shembull (2 copë, çmimi 10.00 me TVSH 18%, rabat 10%), njësoj në faturën e shitjes dhe të blerjes:
| Vlera | |
|---|---|
| Çmimi pa TVSH | 8.4746 |
| Çmimi me rabat (pa TVSH) | 7.6271 |
| Çmimi me TVSH (pas rabatit) | 9.00 |
| Vlera me TVSH e rreshtit | 18.00 |
| Zbritje (poshtë tabelës) | 1.69 = 2 × (8.4746 − 7.6271) |
| Vlera (pa TVSH) | 15.25 |
| TVSH | 2.75 |
| Totali | 18.00 |
Rreshti Zbritje poshtë tabelës është shuma e të gjitha zbritjeve të dokumentit, pa TVSH.
Kur e dini vlerën përfundimtare
Nëse në faturën e furnitorit shihni vetëm shumën pas rabatit, shkruani rabatin dhe pastaj Vlera me TVSH. Finabit e rillogarit çmimin bazë dhe e mban rabatin.
Shembull: rabat 10%, sasia 2, Vlera me TVSH 20 jep Çmimi pa TVSH 9.4162, Çmimi me rabat 8.4746 dhe Çmimi me TVSH 10.00.
Zbritje për të gjithë rreshtat: Cakto zbritjen

- Klikoni Cakto zbritjen mbi tabelën e artikujve.
- Te Zbritja në % shkruani përqindjen.
- Te Apliko te zgjidhni Zbritja 1 (= Rabati), Zbritja 2 ose Zbritja 3.
- Klikoni Zbato në të gjithë rreshtat.
Përdoreni Cakto zbritjen pasi t'i keni shtuar të gjithë artikujt, dhe kontrolloni që zbritja të jetë vendosur në çdo rresht.
Zbritje si shumë
Me Si vlerë, jo si përqindje, fusha bëhet Vlera e zbritjes (shumë në euro) dhe shfaqet Me TVSH (i zgjedhur si parazgjedhje):
- Me TVSH i zgjedhur: shuma e shkruar ul totalin me TVSH. Shembull: 2 × 10.00 me vlerë zbritjeje
2ul totalin nga 20.00 në 18.00. - Pa Me TVSH: shuma e shkruar është pa TVSH.
Për t'u rishikuar
Kur zbritja si shumë kombinohet me zbritje të tjera në përqindje (p.sh. rabat + zbritje si shumë te Zbritja 3), rezultati nuk është gjithmonë ai që pritet. Kontrolloni Totalin para ruajtjes.
Si mblidhen zbritjet
Zbritjet zbatohen njëra pas tjetrës, jo duke u mbledhur:
| Çmimi | |
|---|---|
| Çmimi fillestar | 10.00 |
| Pas Rabatit 10% | 9.00 |
| Pas Zbritjes 2 prej 5% | 8.55 |
Zbritja gjithsej është 14,5%, jo 15%.
Kur përdoret cila
- Rabati: zbritje e veçantë për një artikull, ose rabati i zakonshëm i partnerit.
- Cakto zbritjen › Zbritja 2 ose 3: zbritje shtesë për gjithë dokumentin (p.sh. 5% për pagesë në dorë), pa prekur rabatet e rreshtave.
Kthimet dhe notat
Te Kthimet e shitjeve dhe Kthimet e blerjeve vendosni të njëjtin çmim dhe të njëjtat zbritje si në faturën origjinale. Përndryshe borxhi i partnerit dhe TVSH-ja nuk ulen saktë. E njëjta vlen për notat debitore dhe kreditore që korrigjojnë një faturë.
Importi IM4
Te Importi IM4 zbritja e furnitorit shkruhet te kolona Zbritje % e rreshtit:
- Ç. ORG është çmimi në faturën e furnitorit, para zbritjes.
- Çmimi = Ç. ORG − Zbritje %.
- Vl. ORG dhe Vl. furniz. llogariten me çmimin pas zbritjes, dhe dogana llogaritet mbi këtë vlerë.
Shembull (2 copë, Ç. ORG 10, Zbritje 10%, Dogana 10%, TVSH 18%):
| Kolona | Vlera |
|---|---|
| Çmimi | 9.00 |
| Vl. ORG / Vl. furniz. / Vl. doganore | 18.00 |
| Dogana | 1.80 |
| Ç. kushtues | 9.90 |
| Vlera | 19.80 |
| TVSH | 3.56 |
| Vl. me TVSH | 23.36 |
Fusha Zbritje te Validimi i importit / Shpenzimet nuk shpërndahet te rreshtat gjatë plotësimit, ndryshe nga Transporti (p.sh. Transporti 4 rrit menjëherë Vl. doganore të rreshtit në 22.00). Për zbritjen e furnitorit përdorni kolonën Zbritje %.
Kujdes
- Rabati dhe zbritjet duhet të jenë mes 0 dhe 100%.
- Pas Cakto zbritjen, kontrolloni Zbritje, Vlera, TVSH dhe Totali para se të ruani.